OJQ “SDK” kërkon transmetimin e seancave “live” të Kuvendit të Podujevës

Prishtinë | 15 Kor 2020 | 14:43 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësues të Organizatës “Sundimi i Demokracisë në Kosovë” kanë kërkuar nga Kuvendi Komunal i Podujevës transmetimin e seancave. Sipas tyre, kjo është e paraparë edhe në dokumentet e miratuara nga ky Kuvend.

“SDK bënë thirrje për Komunën e Podujevës që të respektojë në tërësi dokumentet e aprovuara mbi transparencën, veçanërisht gjatë mbarëvajtjes së seancave të kuvendit komunal. Është Plani i Veprimit për Transparencë në Komunën e Podujevës për periudhën 2019-2023, gjegjësisht pika 3 e objektives së parë (I), në të cilën thuhet se ‘Mbledhjet e kuvendit do të përcjellën drejtpërdrejtë-online përmes faqes zyrtare të Komunës dhe teleprezencës për monitorim nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, dhe kanalit në Youtube”, thuhet në një komunikatë të SDK-së.

Sipas të njëjtës, Komuna e Podujevës që nga aprovimi i këtij Plani nuk ka ndërmarrë asnjë hap në drejtim të transmetimit ‘online’ të seancave të kuvendit, përmes kanalit në Youtube.

“Vetëqeverisja lokale bazohet në parimet e qeverisjes së mirë, transparencës, llogaridhënies, përgjegjshmërisë, efikasitetit dhe efektivitetit në ofrimin e shërbimeve publike, duke i kushtuar kujdes të veçantë nevojave dhe kërkesave të qytetarëve të saj. Informimi, komunikimi dhe pjesëmarrja e qytetarëve në aktivitetet e qeverisjes lokale janë me rëndësi jetike për të vendosur një bashkëpunim dhe komunikim të rregullt në mes të komunës dhe qytetarëve”, thuhet tutje në komunikatë. “Në këtë kontekst komuna e Podujevës me qëllim të krijimit të hapësirës edhe më të gjerë informuese për qytetarët, do duhej të gjejë mundësinë e hapjes së kanalit zyrtar në ‘Youtube’ dhe të shfrytëzojë vegëzen ekzistuese në ueb-faqen e komunës, për transmetimin online të seancave të Kuvendit, si dhe të publikimit të të gjitha materialeve audio-vizuele në kuadër të aktiviteteve të Komunës. Kjo do të ndikonte në rritjen e pjesëmarrjes qytetare dhe njëkohësisht në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve”.

Sundimi i Demokracisë në Kosovë është duke monitoruar Kuvendin Komunal të Podujevës si pjesë e projektit “Qytetari aktive për transparencë dhe llogaridhënie në qeverisjen lokale”, që është në kuadër të “GrassRoots Action Support që implementohet nga IKS, Lens dhe FES, financohet nga Bashkimi Evropian dhe menaxhohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Të ngjashme