Podujeva përballet sërish me të infektuar, s’ka mjaftueshëm teste

Prishtinë | 14 Kor 2020 | 20:41 | Nga Ekonomia Online

Dikur e kishte mundur pandeminë, por tani Komuna e Podujevës numëron 46 raste aktive dhe 5 vdekje nga koronavirusi. Zyrtarët shëndetësorë në këtë komunë kanë thënë se nga 1 qershori ka filluar të rritet numri i personave që janë prekur nga koronavirusi. Vetëm brenda dy ditëve të fundit pozitivë rezultuan 15 persona. Ndërsa edhe pse testimet tash bëhen në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, epidemiologia Bedrie Rama është ankuar se rezultatet vonohen. Sipas saj, mesatarisht i testojnë 15 persona në ditë, ndërsa kanë kapacitete t’i kryejnë deri në 40.

Rama, mes të tjerash, është ankuar se Klinika Infektive nuk jep të dhëna për rastet e vdekjeve, dhe se në disa raste për të vdekurit kanë kuptuar nga mediat apo familjarët e tyre.

“Rezultatet kohëve të fundit janë vonuar më shumë, mundemi me theksua se më datën 9.7 2020 nuk kanë dalë rezultatet ende të komunës së Podujevës që janë testuar në Mjekësinë Familjare”, ka thënë ajo.

Ajo shtoi se interesimi nga qytetarët për t’u testuar është shumë i madh. Por këtë mund ta bëjnë vetëm për ata që kanë simptoma.

Ndërkohë, zyrtarët komunalë në bashkëpunim me policinë janë duke monitoruar respektimin e masave. Zëdhënësi i Komunës, Nazmi Elezi, tha se Komuna është detyruar të reduktojë stafin e administratës dhe aty tashmë kryhen vetëm shërbimet esenciale.

“Njëkohësisht është kërkuar që të respektohen rekomandimet-vendimet që sikurse stafi administrativ, por edhe qytetarët të mos u ofrohen shërbime pa bartjen e maskave mbrojtëse dhe respektimin e distancës sociale”, ka thënë Elezi.

Në anën tjetër, qytetarët e Podujevës kanë mirëpritur vendimin e Qeverisë për bartjen e maskave mbrojtëse. Sipas tyre, vetëm në këtë mënyrë mund ta mbrojnë veten dhe të tjerët nga virusi.

Deri tash në Komunën e Podujevës pozitivë me COVID-19 janë 95 persona.

Të ngjashme