Hoti e Arifi kërkojnë të intensifikohen vizitat jashtë shtetit – S’e shfrytëzuam mossanksionimin e Rusisë nga Serbia

Prishtinë | 15 Tet 2022 | 07:12 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Një angazhim i shtuar nga SHBA-ja dhe BE-ja po shihen në raport me arritjen e një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, thonë njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare, raporton Ekonomia Online.

Ata kërkojnë që edhe vizitat jashtë shtetit duhet të shpeshtohen, në mënyrë që të forcohet pozicioni i Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Afrim Hoti, ka thënë për Ekonomia Online, se vizitat e diplomatëve të huaj në Kosovë, kanë për qëllim largimin e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë si pasojë e luftës në Ukrainë.

Hoti thotë se Perëndimi është i interesuar të zgjidh çfarëdo konflikti në Ballkan, duke e paraqitur pozicionin e vet shumë të fuqishëm.

“Kohëve të fundit shihet, në veçanti gjatë pushimeve të verës dhe ky presion vije kryesisht në ato raste kur kemi shtim të tensioneve dhe rritja e këtij presioni ka pasur për bazë dy argumente: i pari ka qenë në tensione dhe argumentin e dytë e ka luftën që po zhvillohet ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, dhe ku Perëndimi është i interesuar që të zgjidh çfarëdo problemi brenda vetës sepse përmes zgjidhjes së këtyre problemeve e paraqet pozicionin e vet shumë më të fuqishëm”, ka thënë Hoti për EO.

Hoti thotë se luftimet në Ukrainë, mund të ndërlidhet me një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Mendoj se është spekulative. Kjo më shumë varët nga gatishmëria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe njëkohësisht nga lidershipi në Beograd dhe në Prishtinë. Po mendoj se po se edhe zhvillimet e sotme janë dritë në fund të tunelit në Pragë me idenë e presidentit Macron për të krijuar një komunitet të ri evropian, e para se gjithash tregon se nuk po heq dorë nga Ballkani Perëndimor edhe për kundër faktit se kemi mbetur një ‘Back Out’ i BE-së. Sido që të jetë, kjo tematikë në dritën e luftës Rusi-Ukrainë, është hijezuar dhe sa më afër që t’i shkojmë luftës Ukrainë-Rusi, mendoj se më e mundur do të jetë arritja e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi”, tha Hoti.

Profesori universitar, Dritëro Arifi, kërkon që vizitat e krerëve shtetëror të shpeshtohen.

Ai ka kritikuar edhe politikën e jashtme, me ç’rast thotë se për shumë kohë Kosova ka mbetur pa ambasadorë në shumë shtete.

“Po këto janë pozitive, megjithatë vetëm një takim nuk do të thotë se zgjidh krejt çështjen. Pra politika e jashtme duhet të shihet në mënyrë kontinuale, pra nuk guxojmë të kemi ndërprerje. Për fat të keq ne kemi pasur ndërprerje një kohë të gjatë e sidomos kur ka ardhur Qeveria Kurti 2 në pushtet. Mos të harrojmë se një kohë të gjatë nuk kemi pasur as ambasadorë, dhe kur nuk ke ambasadorë nuk e ke zërin tënd në ato vende, dhe shumë vonë janë emëruar të rinj, e më pastaj adaptimi i ambasadorëve të ri në politikbërjen e atij shteti nuk është proces i lehtë, e duke e ditur që Kosova është shtet i vogël e parëndësishëm”, u shpreh Arifi për EO.

“Pra u dashtë të ndodh një luftë në Ukrainë, që Bashkimi Evropian me u këndell dhe ta kuptojë se çfarë problemi mund të ndodh nëse nuk ka shtrirje më të madhe të vlerave të Bashkimit Evropian, dhe për fat keq disa vende që janë kandidate për t’u anëtarësuar në BE siç është rasti i Serbisë e Bosnjës, ato vende nuk i plotësojnë as kriteret minimale të vlerave të Bashkimit Evropian, dhe imagjinoje sidomos Serbia ka hapur kapituj me BE-në”, u shpreh Arifi.

Teksa ka folur për konfliktin Rusi-Ukrainë, Arifi thotë se Kosova ka mundur ta shfrytëzojë më shumë në arenën ndërkombëtare. Madje, thotë se ka ende kohë.

“Shumë më shumë, edhe ende kemi kohë. Në kontekstin e asaj që të kërkojmë me ngulm marrëveshjen përfundimtare dhe ajo mund të mos vijë, por ne duhet ta kërkojmë atë njohje reciproke, sepse vetëm në këtë formë e zgjidhim problemin qindvjeçar ndërmjet shqiptareve dhe serbëve, përndryshe çdo marrëveshje tjetër do të jetë gjysmake dhe nuk e zgjidh çështjen e paqes së përhershme apo të qëndrueshme”, u shpreh ai.

Të ngjashme