Prizreni sivjet subvencionon qiratë e banimit për 20 familje nevojtare

Prishtinë | 26 Maj 2020 | 19:26 | Nga Ekonomia Online

Njëzet familje nevojtare sivjet mbështeten nga Komuna e Prizrenit për pagesën e qirave të banimit të tyre. Në saje të Programit komunal për banim të përkohshëm social familjet përfituese subvencionohen me 50 për qind të vlerës së qirasë.

Drejtori për Punë dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Prizrenit, Fejzë Kabashi, ka theksuar se ky program zbatohet për herë të parë në këtë komunë, raporton KOHA.

Sipas tij, qytetarët mund të aplikojnë deri më 9 qershor për subvencionimin e qirave të banimit.

Kabashi ka pohuar se për këtë qëllim Komuna e Prizrenit sivjet do t’i shpenzojë rreth 30 mijë euro nga buxheti i saj.

“Gjithë qytetarët apo familjet në Komunën e Prizrenit në nevojë dhe që nuk kanë mundësi për shkak të të hyrave të ulëta buxhetore të mbulojnë shpenzimet e qirasë së banimit mund të aplikojnë”, ka thënë Kabashi.

Ai ka sqaruar se aplikacionet do të shqyrtohen dhe vlerësohen nga një komision i formuar nga kryetari i Komunës.

Sipas tij, planifikimi ka qenë që sivjet të mbështeten 10 familje nevojtare, porse për shkak të gjendjes së vështirë është vendosur që ky numër të dyfishohet.

“Një ndër dokumentet që ju kërkohet me formularë është edhe dëshmia e kontratës së qirasë. Sipas Ligjit për programe të veçanta të banimit në Republikën e Kosovës qiraja subvencionet 50 për qind. Nëse familja paraqet një kontratë të qirasë 180 euro, atëherë nga Komuna do të subvencionohen 90 euro, pra gjysma e qirasë sipas kontratës që familja e ka”, ka shtuar Kabashi.

Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit në nëntor të vitit të shkuar kanë miratuar Programin trevjeçar për banim, me anë të të cilit parashihet që çdo vit të ndërtohen nga 33 banesa për rastet sociale, dhe po ashtu që çdo vit nga 10 familje të subvencionohen me pagesën e qirasë së banimit.

Të ngjashme