Pronari të cilit iu rrënua shtëpia në Komoran thotë se ka edhe tjera pa leje, por ato s’po rrënohen

Prishtinë | 15 Tet 2019 | 20:20 | Nga Ekonomia Online

Asllan Krasniqin nga Komorani i Drenasit e ka mllefosur një vendim i komunës disa ditë më parë, të cilin e quan të padrejtë.

Në ditën kur ndërtimi i vrazhdë i shtëpisë së tij po përfundonte, Drejtoria e Inspeksionit ia rrënoi tërësisht atë duke ia shkatërruar gjithë materialin, raporton KTV.

Ai thotë se nuk ishte kundër këtij vendimi, por shprehet se kjo formë e rrënimit i kushtoi atij 30 mijë euro dëme materiale.

Derisa e pranon se nuk kishte leje ndërtimi, Krasniqi insiston se të tilla leje nuk kanë as bizneset dhe shtëpitë e tjera për rreth, të cilat janë ndërtuar shumë më herët dhe deri më tash nuk janë rrënuar.

Kjo shkaku se kjo tokë është bujqësore.

Krasniqi thotë se nuk e di arsyen se pse vetëm këtij iu rrënua objekti e të tjerëve jo, por dyshon se kjo mund të jetë e qëllimshme.

Në Komunën e Drenasit nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje, duke thënë se drejtoresha e Inspeksionit është në pushim dhe është kërkuar që të citohet vetëm një komunikatë e lëshuar nga ky institucion.

E, në komunikatën e zyrës për informim thuhet se Inspektorati i Komunës ka realizuar këtë aksion për rrënim pasi objekti është ndërtuar në tokë bujqësore.

Të ngjashme