Ramiz Lladrovci fton diasporën të jenë pjesë e Muajit të Mërgatës

Prishtinë | 08 Kor 2019 | 16:27 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka ftuar qytetarët e Kosovës nga diaspora, për të qenë pjesë e Muajit të Mërgatës.

”Muaji i Mërgatës” në Drenas, siç bënë të ditur Lladrovci nis nga 15 korriku dhe do të zgjas deri më 15 gusht, derisa pjesë e këtij organizimi do të jenë këngëtarë të ndryshëm.

”Diaspora ishte, është dhe mbetet portë e madhe e lirisë dhe përparimit të vendit tonë!

Ka disa ditë, disa media pa asnjë koncept objektiv gazetaresk, publikojnë shpifjet e deklarata kinse unë kam deklaruar diçka kundër diasporës.

Kjo fare nuk qëndron. Çdo deklarim e kam ose zyrtar nga komuna, ose në profilin tim në rrjetin social.

Unë si ish pjesëtar i diasporës, me familjen time, kam nderim dhe respekt të veçantë për diasporën. Këtë e kam shprehur çdo herë publikisht. Prandaj, me kënaqësi, kam marrë vendim si kryetar komune që në shenjë respekti dhe falënderimi, për kontributin e mërgatës, para luftës, gjatë luftës dhe sot, në shtetndërtim, të shpall ”Muajin e mërgatës”.

“Muaji i Mërgatës”, tashmë është tradicional ku për 30 ditë rresht, marrin pjesë dhe performojnë këngëtarët, artistët dhe pjesëtarët e estradës tonë- yjet e muzikës shqipe. Gjithsesi, në këto mbrëmje, kanë filluar të jenë mysafirë edhe publiku nga të gjitha trojet etnike, në ”Muajin e mërgatës”, kushtuar diasporës.

”Muaji i mërgatës” mbledh çdo natë me mijëra veta, kryesisht të rinj, nga të gjitha anët e Kosovës, dhe këtu ftoj të gjithë pjesëtarët e diasporës, brenda 30 ditëve, të gjejnë kohë dhe shtojnë madhështinë e koncerteve nga artistët tanë në sheshin ”Fehmi Lladrovci”, në Drenas, nga 15 Korriku, deri 15 gusht.

Intervista imagjinare, apo intervista e shpifur, sikur unë sulmoj diasporën, bëhet pikërisht për këtë shkak, për të dëmtuar organizimin e komunës së Drenasit, kushtuar mërgatës sonë, diasporës tonë, për të cilën çdo shqiptar ka respekt.

Deklaratat gjoja se janë të miat për diasporën, të përhapura javën e fundit, janë trillime të ulëta.

E kam njoftuar Policinë e Kosovës, për dezinformatat që lëshohen nga profile të njerëzve pa identitet, kundër meje.

Shpresoj të gjenden edhe shpifësit ordiner që montojnë deklarata të paqena në emrin tim.

P.S.
Sa për reagime të tipit ”Binak Maxharraj”, nuk meriton as përgjigje as koment nga ana ime. Kur të bëj një shkrim ky ”kumunist”, pa gabime logjike, pa gabime përmbajtjesore e drejtshkrimore, një të vetmin në jetë nëse mund ta bëj, do të merrem me të”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme