Rrezikohet rruga legjendare Mitrovicë-Prishtinë

Prishtinë | 27 Tet 2020 | 19:15 | Nga Ekonomia Online

Avullimi i 2.1 milionëve, preku edhe paratë e këtij projekti.

Rruga Prishtinë -Mitrovicë nuk ka përfunduar akoma, ani pse nisi që nga viti 2009.

Kjo rrugë është shndërruar në legjendë, pikërisht për shkak të stërgjatjes së punimeve, shkruan “Jepi zë”.

Janë ndërruar disa qeveri, mirëpo asnjëra nuk ka mundur ta përfundojë këtë rrugë. Qytetarët e Rajonit të Mitrovicës, ndihen shumë të mllefosur për anashkalimin e madh që iu bë ndër vite.

Shpresa për përfundimin e kësaj rruge u rrit, kur Emiratet Arabe ndanë disa milionë euro për vazhdimin e këtij segmenti, por u spekulua shumë herë se këto mjete shkuan dikah tjetër.

Por, ish-ministri i financave Bedri Hamza, ditë më parë, gjatë një interviste përballë gazetarit Shkumbin Kajtazi, e konfirmoi se paratë janë të ndara dhe të sigurura për këtë rrugë.

Sikur të mos mjaftonin gjithë këto probleme, doli qe edhe skandali i “avullimit” të 2 milionë eurove preku pikërisht këtë projekt. Nga paratë e vjedhura nga Thesari i Shtetit, rezultoi se disa mijëra ishin para të zotuara për rrugën Prishtinë-Mitrovicë.

Këtë e konfirmoi sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Izedin Bytyqi, i cili tha se paratë që janë tërhequr, përveç segmentit Prishtinë-Mitrovicë, i takonin edhe dy projekteve të tjera.

Të ngjashme