Specialja: Autoritetet e Kosovës janë të detyruara t’i zbatojnë urdhrat tona

Prishtinë | 12 Dhj 2018 | 18:01 | Nga Ekonomia Online

Dhomat e Specializuara të Prokurorisë të cilat funksionojnë në kuadër të Gjykatës Speciale të Kosovës kanë nisur dërgimin e ftesave të para ndaj personave të cilët mund të jenë palë në gjykimet e mëvonshme.

Deri më tani, publike janë bërë ftesat ndaj gjashtë ish-ushtarëve të UÇK-së.

E përderisa nga Prokuroria vendore po thonë se nuk kanë pasur ndonjë kërkesë për bashkëpunim nga Gjykata Speciale, nga kjo e fundit po thuhet se institucionet e Kosovës janë të detyruara të përmbushin urdhrat e lëshuar nga kjo gjykatë.

Në një përgjigje për lajmi.net nga Christopher Bennet, zëdhënës i dhomave të Specializuara të Prokurorisë, thuhet se të gjitha subjektet në Kosovë, përfshirë edhe institucionet janë të detyruara të bashkëpunojnë me Prokurorinë e Specializuar.

Sipas Bennet, ato duhet të përmbushin pa vonesa të panevojshme të gjitha urdhrat e dhëna nga kjo Prokurori.

“Të gjitha subjektet dhe personat në Kosovë, duke përfshirë autoritetet e Kosovës, janë të detyruara që sipas Ligjit të Posaçëm për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar, të bashkëpunojnë me ne”, thuhet në përgjigjen e Bennet.

“Ato duhet të përmbushin pa vonesa të panevojshme çdo kërkesë për ndihmë ose urdhër të lëshuar nga Prokuroria e Specializuar”, thuhet tutje në përgjigjen e Bennet.

E krejt diçka tjetër po thuhet nga Prokuroria vendore.

Prokurori Special, Sylë Hoxha, tha sot për lajmi.net se Gjykata Speciale nuk ka kërkuar asnjë lloj bashkëpunimi, mirëpo në rast të ndonjë kërkese, ata janë të gatshëm të bashkëpunojmë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme