Stafi i Spitalit të Ferizajt ankohet se s’ka kushte për të trajtuar të infektuarit me COVID-19

Ferizaj | 26 Qer 2020 | 19:39 | Nga Ekonomia Online

Derisa Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar që të prekurit me koronavirus të trajtohen edhe në spitalet rajonale, kjo çështje ka nxitur reagimet e stafit në spitalin rajonal të Ferizajt, me arsyetim se nuk kanë hapësira të mjaftueshme.

Ky spital ka vetëm një infektolog, ndërkaq aty mungojnë edhe pajisjet për trajtimin e pacientëve me koronavirus, raporton KOHA.

Megjithatë, drejtuesit e spitalit thonë se ka siguruar vetëm pesë dhoma në repartin e pediatrisë, pasi që ky spital nuk ka repart të veçantë të infektives.

Infektologu i vetëm në këtë spital, Kadrush Hetemi, ka thënë se në mungesë të stafit ka rrezik që të infektohet i gjithë stafi shkaku i hapësirës së vogël.

Ndërkaq, drejtori i spitalit rajonal në Ferizaj, Jeton Zeqiri, ka thënë se është njoftuar edhe niveli qendror për vështirësitë me të cilat ata përballen.

Gjatë ditëve të fundit, në këtë komunë janë konfirmuar 12 raste të reja me koronavirus, ndërkaq deri tash janë shëruar gjithsej 130 pacientë.

Të ngjashme