Tri vendime të kuvendarëve vlerësohen të kundërligjshme

Prishtinë | 15 Kor 2019 | 08:52 | Nga Ekonomia Online

Në gjashtë muaj të këtij viti, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar 38 vendime, tri nga të cilat do të trajtohen në gjykatë.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal i ka kthyer ato mbrapa duke i vlerësuar si të kundërligjshme.

Bëhet fjalë për vendimin për fillimin e hartimit të planit rregullues të hollësishëm për zonën te Fakulteti Teknik në lagjen “Bregu i Diellit”.
Vendimi i dytë është ai për vendosjen e lapidarit kushtuar të vrarëve në pesëvjeçarin e parë pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa i treti për caktimin e lokacionit për vendosjen e pllakës përkujtimore kushtuar viktimave të luftës së vitit 1999 të lagjes “Sofalia”, shkruan sot Koha Ditore.

“Të kundërligjshme janë kthyer 3 akte, edhe atë nga fusha e planifikimit hapësinor, të cilin shqyrtim e ka bërë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor bazuar në Rregulloren për Fushat dhe Përgjegjësitë. Organet e Komunës së Prishtinës nuk i kanë harmonizuar aktet e lartcekura brenda afatit 30-ditor. Andaj me datën 03.07.2019, lënda është adresuar për gjykatën kompetente përmes Avokatit Shtetëror nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal”, thuhet në përgjigjen e MAPL-së.

Pothuajse çdoherë kur është diskutuar nisja e hartimit të planeve të hollësishme rregulluese ka pasur përplasje ndërmjet këshilltarëve komunalë të opozitës dhe atyre të partive në pushtet lidhur me ligjshmërinë e tyre.

Të ngjashme