Vdekja e gruas pasi hoqi dhëmbin në Malishevë, dy mjekët e arrestuar kryenin shërbime stomatologjike, gjinekologjike dhe syneti

Prishtinë | 23 Gus 2023 | 13:15 | Nga Ekonomia Online

Një grua nga Malisheva, ka vdekur dje, si pasojë e trajtimin të pandërgjegjshëm mjekësor në një klinikë private në këtë komunë.

35 vjeçarja nga fshati Ngucat i Malishevës jetonte në Itali ndërsa la pas burrin dhe katër fëmijë. Ajo ndodhej për pushim në Kosovë, kur shkoi në një klinikë private në Malishevë për të hequr një dhëmb që po i shkaktonte dhimbje.

Por askush nuk do ta besonte se vizita e saj tek klinika private do të ishte e fundit për të në jetë.

Pas heqjes së dhëmbit, gjendja e saj filloi të përkeqësohej për çka u dërgua me urgjencë në QKUK. Gruaja nuk arriti të tejkaloj më të keqen dhe vdiq në QKUK.

Për rastin në fjalë janë arrestuar dy persona të dyshuar për “trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor”. Ata me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

“Lidhur me rastin janë arrestuar dy persona të dyshuar një femër dhe një mashkull kosovarë, të cilët dyshohet se kanë kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare e cila ka ndërruar jetë. Të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.

Të arrestuarit janë vëlla e motër mes vete.

Xhavit K. Dhe Hanfike K., siç raporton Indeksonline, drejtonin kliniken private në Malishevë ku u trajtua tashmë e ndjera. Biznesi në fjalë është i regjistruar në emrin e të dyshuarës, derisa vëllai i saj, po ashtu i dyshuar, figuron si i punësuar në biznes.

“Aktivitetet e mjekësisë së specializuar” është përshkrimi i punës në klinikën e tyre.

Por, siç raporton Indeksonline, brenda klinikës së tyre kryheshin edhe shërbime të tjera mjekësore. Shërbime gjinekologjie dhe syneti ishin shërbimet tjera që kryheshin nga të dyshuarit Xhavit dhe Hanife K.

Të ngjashme