Vidhen zyret e organizatës studentore “Paqja Studentore”

Prishtinë | 28 Nën 2019 | 17:03 | Nga Ekonomia Online

Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka reaguar pas vjedhjes së zyrave të organizatës studentore “Paqja Studentore”.

PSUP shprehet e indinjuar me veprimet huligane të atyre që vodhën pajisjet e projektit “Java Studentore e Filmit”, në zyrën e organizatës tonë, e cila ndodhet në Fakultetin e Arteve.

Hajnat kanë arritur të grabisin:

“Altoparlanti, dy mikrofona, dy reflektorë, një baner dhe një projektor janë pajisjet që janë vjedhur, pajisje të cilat janë jetike për realizimin e projekteve të tilla studentore. Përtej kësaj, ne kërkojmë edhe rritjen e sigurisë në fakultete, hapësira në të cilat pothuajse studentët kalojnë tërë ditën “.

“Veprime të tilla na bëjnë të kuptojmë që siguria në fakultetet tona, të cilat janë shtëpi e dytë e studentëve, është e brishtë, madje aq e brishtë sa që edhe kamerat ishin të fikura në kohën kur ka ndodhur krimi”.

Në komunikatën e Parlamentit Studentor shkruan se këta njerëz e kanë shfrytëzuar rastin që të futen brenda dhe t’i vjedhin pajisjet.

“Po këta njerëz shfrytëzuan natën që pabesisht të futen në zyrë e të vjedhin pajisjet e organizatës, organizatë e cila po e sjell dritën në Kampusin e Universitetit të Prishtinës. Në vend se të motivohen studentët për punën vullnetare që bëjnë, persona të tillë synojnë të parandalojnë aktivizmin studentor “.

PSUP thekson se nuk do të ndalet deri në zbardhjen e rastit.

“Ju njoftojmë se menjëherë pas ngjarjes kemi kontaktuar Policinë e Kosovës, por ende nuk është gjetur personi ose personat që kanë kryer këtë akt të tmerrshëm. PSUP do të vazhdojë të interesohet deri në zbardhjen e këtij rasti, i cili fatkeqësisht nuk është i pari në këtë fakultet. Ndonëse, këto veprime të liga tentojnë ta ndalin punën e studentëve,”Paqja Studentore” si organizata më e vjetër në UP, nuk do të dorëzohet para akteve të tilla, të cilat mbi të gjitha na bëjnë të kuptojmë që po bëjmë një punë të madhe, gjithmonë në shërbim të studentëve “.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme