Votohet Raporti vjetor i Kuvendit, kërkohet llogari rreth shpenzimeve për derivate e dreka zyrtare

Prishtinë | 25 Pri 2018 | 13:22 | Nga Donika Osmnia Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Buxhet dhe Financa ka votuar Raportin vjetor të shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për vitin 2017, edhe pse pati kritika nga deputetët për rritje të shpenzimeve për derivate e dreka zyrtare.

Lumir Abdixhiku, kryetar i komisionit kërkoi sqarim për harxhimin e 116 mijë eurove për dreka zyrtare të stafit politik e rritjen e shpenzimeve për derivate, raporton Ekonomia Online.

“Shpenzimet e naftës 33 mijë euro për ngrohje janë rrit, pse janë rrit. Dhe 116 mijë euro dreka zyrtare, a vetëm të stafit politik apo staf tjetër”.

Sekretari i Kuvendit Ismet Krasniqi tha se këto shpenzime bëhet kur organizohen takime të niveleve të larta me zyrtarë të protokollit të një shteti tjetër.

“Janë staf që organizojnë takime të niveleve të larta, zyrtarë protokollit të një shteti tjetër kur vijnë për tu takuar me zyrtarë tanë”, ka thënë sekretari i Kuvendit.

Naser Osmani, nga LDK-ja, propozoi që mos të bëhen shpenzime për fotokopjimin e letrave sepse sipas tij ky është një kosto shtesë dhe që secili deputet mund të lexojë materialet online.

Ai këtë mënyrë të furnizimit me dokumentacione e quajti mënyrë primitive.

“Gjithmonë ka shpenzime për zyra, duhet filluar me kursimin e shpenzimeve të administratës, fotokopje aq shumë harxhohet, ka letra që hidhen nuk na duhen, çdo vjet na bini nga një kompjuter, është çështje e sekretaria që letrat të humbën krejt mos të ngarkohemi me letra, të kemi kompjuterë secili me programe të veçanta, e me u furnizuar në mënyrë primitive me letra, secili ka telefona të mençur, kompjuterë”, ka thënë Osmani.

Krasniqi tha se vetëm duhet vendimmarrje e GP parlamentare për ndaljen e kësaj mënyrë të furnizimit.

“Na duhet vendimmarrje nga GP parlamentar, komunikimi në adresa privatë të deputetëve, GP kërkojnë të ndalet shpërndarja e materialit në letër jemi të gatshëm. Na mundemi me ndal”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi prezantoi shpenzimet për vitin 2017 nga të gjitha kategoritë, raporton EO.

“Shpenzimet për vitin 2017. Paga mëditje 95,6 %, mallra dhe shërbime 77,24%, shërbime komunale, 82,1%, shpenzime kapitale 29,74%. Kanë dështua disa projekte, furnizimi me material për zyre 140 mijë euro nuk ka përfunduar. Ka mungesë stafit, të bordit”.

Komisioni gjithashtu ka miratuar edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Liritë Fetare.

Të ngjashme