Erërat e forta dëmtojnë pullazet e tri shtëpive në Gjilan

Gjilan | 31 Kor 2018 | 20:39 | Nga

Pas reshjeve të mëdha të shiut dhe erërave të forta, Komuna e Gjilanit njofton se ka aktivizuar shtabin e emergjencave, të cilët kanë intervenuar në disa pjesë të qytetit dhe në fshatra, duke i dalë në ndihmë banorëve.

Zyrtarët gjilanas bëjnë të ditur se nga erërat e fuqishme janë dëmtuar pullazet e tri shtëpive.

Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Sami Spahiu, ka njoftuar se ekipi i këtij resori dhe Shërbimit të Zjarrfikësve, kanë dalë menjëherë në terren, duke iu dalë në ndihmë banorëve të cilët janë prekur nga vërshimet në Gadish, Lagjen e Vishnjeve, dhe në pjesën hyrëse të fshatit Malishevë, sikurse edhe që kanë intervenuar pas dëmtimit të pullazeve të tri shtëpive.

Spahiu ka njoftuar se fatmirësisht dëme në njerëz nuk ka, pos atyre materiale, vlera e të cilave akoma nuk dihet dhe në ditët në vijim pritet të dilet me konstatimin final.

Kreu i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim ka apeluar qytetarët që për çdo problem eventual të kontaktojnë numrat e emergjencave 112 dhe 193, sikurse që ka kërkuar nga ta që në rastet kur paraqiten erëra të forta të kenë kujdes gjatë lëvizjes.

Të ngjashme