11 të përfshirë në rastin ku u plagos me armë një person në Prizren

Prishtinë | 23 Maj 2024 | 09:24 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me plagosjen e së mërkurës mbrëma në Prizren.

Sipas njoftimit, një person është plagosur me armë zjarri e një tjetër është lënduar me mjete të forta, pas një mosmarrëveshjeje mes 11 personash.

Rastin në Polici e ka njoftuar një burrë i cili ka deklaruar se së bashkë me dy viktimat është sulmuar me armë zjarri dhe mjete të forta nga tetë persona të dyshuar. Njëri prej tyre është arrestuar pas një bastisjeje.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, dy nga viktimat kanë pranuar tretman mjekësor dhe më pas njëri nga ta është liruar, ndërsa tjetri është transferuar për trajtim të mëtutjeshëm.

“Në vendin e ngjarjes në dy lokacione janë gjetur dhe konfiskuar tre gëzhoja. Me vendim të prokurorit është bërë bastisja në dy lokacione, ku gjatë kontrollit është hasur dhe arrestuar njëri nga të dyshuarit, po ashtu është hasur dhe një kamionetë që dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprës ku brenda saj janë gjetur dhe konfiskuar 37 fishekë që dyshohet të jenë të armës me gaz. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme