Vendosja e një pllake përkujtimore në fshatin Dyz të Podujevës, në nder të viktimave të luftës, ka nxitur reagime të shumta nga qytetarët, për shkak të gabimeve drejtshkrimore dhe formulimeve të papërshtatshme në tekst.
Banorët e zonës e kanë cilësuar këtë si një lëshim të papranueshëm, duke theksuar se përkujtimi i të rënëve kërkon kujdes maksimal dhe trajtim me dinjitet të plotë. Sipas tyre, gabime të tilla dëmtojnë seriozitetin e një akti që ka rëndësi të veçantë historike dhe emocionale.
Qytetarët e kanë adresuar si ankesë, në mënyrë që edhe institucionet përgjegjëse të marrin përgjegjësi dhe të rregullojnë gabimet në këtë pllakë përkujtimore, shkruan Gazeta 10.
Një ndër gabimet e evidentuara në pllakë është shprehja “u prefshin në paqe”, e cila ka ngjallur kritika të shumta nga publiku. Qytetarët kanë kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për korrigjimin e gabimeve dhe rregullimin e përmbajtjes së pllakës.
Ata apelojnë që raste të tilla të shmangen në të ardhmen, duke siguruar që përkujtimet për viktimat e luftës të realizohen me respektin dhe përkushtimin që meritojnë.