Gjakovë: Arrestohet një polic, dyshohet se pranoi 1 mijë euro për të plotësuar dy vendime për kundërvajtje

Prishtinë | 24 Shk 2024 | 12:22 | Nga Ekonomia Online

Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë të ditur se është arrestuar një polic në Gjakovë, i dyshuar për veprën penale të “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit” dhe “Marrje ryshfeti”.

Në komunikatën për media bëhet e ditur se polici ka pranuar 1 mijë euro për të plotësuar dy vendime për kundërvajtje, njofton Klankosova.tv.

“Pas pranimit të informacioneve të para për këtë rast, hetuesit e IPK-së kishin filluar hetimet për këtë rast me autorizim dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë. Pas disa veprimeve hetimore dhe operative në teren, nga hetuesit e IPK-së është arrestuar në Gjakovë zyrtari policor (zyrtar i Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor – Drejtoria Rajonale e Policisë Gjakovë) kurse nga prokurori kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”.

“Bazuar në veprimet hetimore që hetuesit e IPK-së kanë realizuar deri më tani, dyshohet se zyrtari policor ka pranuar 1000 Euro për të plotësuar dy vendime për kundërvajtje (fiktive), njëra me vlerë prej 500 euro, me 3 pikë negative dhe masë mbrojtëse prej 1 viti dhe tjetra në vlerë prej 200 euro duke përdorur të dhënat e pa sakta të qytetarëve”, thuhet tutje në komunikatë.

Të ngjashme