Kryetari i Gjykatës Supreme i reagon qeverisë për komisionin e Jurisprudencës: Keni tentuar të ndërhyni në punën tonë

Prishtinë | 21 Pri 2026 | 11:04 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, ka reaguar ashpër pas vendimit të Qeverisë për formimin e një Komisioni të ri për dhënien e Provimit të Jurisprudencës.

Në një deklaratë për media, ai e ka cilësuar këtë vendim si një ndërhyrje të Qeverisë në punën e institucioneve të pavarura dhe ka theksuar se vendimi është “jo ligjor dhe kundërkushtetues.”

Rexhepi shprehu shqetësimin e tij lidhur me arsyetimin e Ministrisë së Drejtësisë për emërimin e komisionit të ri, i cili, sipas tij, ka ardhur për shkak të “mungesës së transparencës dhe ankesa ndaj Komisionit të deritanishëm.”

 “Përgjegjësia për një proces tërësisht administrativ dhe organizativ nuk mund të zhvendoset në mënyrë të tërthortë tek Komisioni, kur vetë Ministria e Drejtësisë ka dështuar të përmbushë detyrimet e saj ligjore për organizimin e provimit,” deklaroi Rexhepi.

Ai po ashtu shtoi: “Tendencat ndaj Komisionit kanë filluar para një viti, dhe arsyet e dhëna nga Ministrja e Drejtësisë për emërimin e një komisioni të ri janë absurde dhe jo të vërteta.”

Në përfundim, Kryetari i Gjykatës Supreme ka theksuar: “Ne mbetemi të përkushtuar për sundimin e ligjit, funksionimin e pavarur të institucioneve dhe mbrojtjen e interesit publik.”/Gazeta Infokus

Reagimi i plotë:

Reagim lidhur me vendimin e Qeverisë për Komisionin për dhënien e Provimit të Jurisprudencës

Prishtinë, 21 prill 2026 – Kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin e tij, lidhur me vendimin 24/11, të datës 20.04.2026, të marrë në mbledhjen e fundit të Qeverisë, për formimin e një Komisioni të ri për dhënien e Provimit të Jurisprudencës, të arsyetuar me pretendime për mungesë transparence dhe ankesa ndaj Komisionit të deritanishëm.

Së pari, si kryetar i Komisionit të deritanishëm, vlerësoj se është e domosdoshme që çdo vendimmarrje institucionale të bazohet në fakte të verifikuara, procedura të rregullta dhe në respekt të plotë të kompetencave ligjore të secilit institucion. Në këtë drejtim, konsiderojmë se është e papranueshme që përgjegjësia për një proces tërësisht administrativ dhe organizativ të zhvendoset në mënyrë të tërthortë tek Komisioni, në një kohë kur vetë Ministria e Drejtësisë ka dështuar të përmbushë obligimet e saj të qarta ligjore për organizimin e provimit.

Tendencat ndaj komisionit kanë filluar para një viti, arsyet e dhëna nga Ministrja e Drejtësisë, për të emëruar komisionin në përbërje të re, janë absurde dhe jo të vërteta, dhe vendimi si i tillë është jo ligjor dhe kundërkushtetues.

E vërteta e vetme në këtë mes është se unë si kryetar i Komisionit dhe anëtarët e Komisionit, nuk kemi lejuar ndërhyrje në punën e Komisionit sa i përket vlerësimit të kandidatëve, pasi kjo është në kompetencë të Komisionit. Puna e Komisionit është bazuar në dispozitat e ligjit, dhe për këtë ka pasur transparencë të plotë, ankesa e vetme nga Ministria e Drejtësisë në raport me Komisionin që na është thënë, ka qenë kalueshmëria e ulët. Për ne ka qenë e papranueshme që të ulen kriteret e vlerësimit dhe Komisioni të luajë rolin e një instrumenti në dorën e Ministrisë së Drejtësisë.

Andaj, emërimi i një Komisioni në përbërje të re, pa i kaluar mandati Komisionit të deritanishëm, nuk shpjegohet ndryshe përveç ndërhyrje në punën e institucioneve të pavarura, dhe kjo në vazhdën e ndërhyrjeve të vazhdueshme që Qeveria i bënë edhe në raport me Sistemin e Drejtësisë.

Për mua personalisht dhe për anëtarët e Komisionit integriteti dhe pavarësia në ushtrimin e profesionit edhe si anëtar i Komisionit, nuk janë parime që shkruhen vetëm në letër, por janë parime që duhet t’i ushtrojmë në çdo veprim tonin.

Ne mbetemi të përkushtuar për sundimin e ligjit, funksionimin e pavarur të institucioneve dhe mbrojtjen e interesit publik.

Të ngjashme