Të premten e 24 prillit do të shpallet aktgjykimi në rastin e njohur “Banjska”.
Lidhur me këtë zhvillim, ish-koloneli i Policisë, Refki Morina ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke shkruar mbi rëndësinë që pritet të ketë vendimi gjyqësor, por edhe sfidat që e shoqërojnë këtë proces.
Sipas tij, verdikti do të jetë i rëndësishëm për përcaktimin e përgjegjësisë penale për të pandehurit që ndodhen në dispozicion të drejtësisë në Kosovë, si dhe për krijimin e një narrative zyrtare juridike për ngjarjen.
Por njëherësh, Morina theksoi se problemi kryesor mbetet fakti që të dyshuarit kryesorë nuk ndodhen në Kosovë, por në Serbi, çka e komplikon ndjeshëm, sipas tij, procesin e drejtësisë.
“Nëse verdikti gjyqësor shpallet më 24 prill, ai do të ketë rëndësi për:
– Përcaktimin e përgjegjësisë penale për të pandehurit që janë në dispozicion të drejtësisë në Kosovë krijimin e një narrative zyrtare juridike për ngjarjen. Por, problemi kryesor mbetet fakti që të dyshuarit kryesorë nuk ndodhen në Kosovë, por në Serbi kjo e komplikon drejtësinë!”, shkroi mes tjerash Morina.
Ai ka vë në pah mungesën e një marrëveshjeje funksionale për ekstradim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe kufizimet e juridiksionit, duke bërë që gjykatat në Kosovë të mund të trajtojnë vetëm personat që kanë në dispozicion: Mungesa e ekstradimit, Kosova dhe Serbia nuk kanë marrëveshje funksionale për ekstradim të ndërsjellë, jurisdiksioni i kufizuar, gjykatat në Kosovë mund të gjykojnë vetëm ata që i kanë në dorë”.
“Dimensioni politik:
-Rasti ka implikime të forta politike dhe ndërkombëtare, jo vetëm juridike.
Praktikat te ne janë :
Mund të ketë dënime në mungesë për disa të dyshuar, nese provat janë të mjaftueshme.Procesi mund të mbetet i pjesshëm, pa adresuar plotësisht zinxhirin komandues.Do të ketë presion ndërkombëtar ndaj Serbisë për bashkëpunim më të madh në hetim. Nëse verdikti shpallet, drejtësia konsiderohet e plotë vetëm kur identifikohen dhe dënohen organizatorët kryesorë, zbardhet plotësisht struktura e sulmit. Në këtë rast, hendeku midis vendimit gjyqësor në Kosovë dhe mungesës së të dyshuarve kryesorë mbetet sfida kryesore”, shkroi Morina.