“Politika” e filozofisë

Prishtinë | 04 Sht 2022 | 19:42 | Nga Afrim Kasolli

Arche, (ἀρχή), aletheia (ἀλήθεια), apeiron (ἄπειρον), logos, (λόγος) janë vetëm disa nga nocionet më të njohura të cilat qëndrojnë në zanafillë të mendimit filozofik perëndimor. Me anë të këtyre kategorive, siç ka pohuar Hegeli, “mendimi ia doli të shkëputet nga shqisësia e drejtpërdrejtë”, apo siç ka thënë Nietzche, mendimi u çprangos nga “prangat e empirizmit”.

Në këtë mënyrë filozofia, duke iu referuar përkufizimit të Aristotelit mbi metafizikën, u vë në kërkim të “fillimeve dhe shkaqeve të para” (protai arhai kai aitai). Dhe këto “fillime apo shkaqe të para” sipas M.Heideggerit, përbëjnë “Qenien e qenies”. Prandaj, vazhdon ai, është koha që edhe pas dymijë e pesëqind vjetësh, të mendojmë mbi atë se përse “Qenia e qenies” ka punë me diç të tillë siç është “fillimi” apo shkaku”. Pra se çdo të thotë t’i mendosh qeniet në totalitetin e tyre “Meleta to pan” (μελέτη τὸ πᾶν).

Me këtë kthesë të befasishme, për herë të parë mendimi tashmë nuk e kërkonte zanafillën e gjërave në shkaqe të jashtme sipas përfytyrimeve mitike apo religjioze, por mëtonte ta gjente parimin e brendshëm racional të tyre.

Natyrisht, ky shpërthim magjik i mendimit grek nuk ishte i rastësishëm. Sipas Jean-Pierre Vernant në librin e tij “Origjina e mendimit grek”, ky lloj i mendimit, nuk u formua aq nga marrëdhëniet njerëzore me gjërat, se sa nëpërmjet marrëdhënieve të njerëzve midis tyre. Ai u zhvillua më pak nëpërmjet teknikave që ndikojnë mbi botën, sesa nëpërmjet atyre që të bëjnë të kuptosh të tjerët dhe gjuha e të cilave është një instrument i përbashkët. Kështu, ky hulumtues i kësaj zanafille, konstaton “se në kufizimet dhe në risitë e saj, ky mendim ishte pjellë e polisit”.

Kurse origjinën politike të këtyre nocioneve askush nuk e kishte kapur më rrokshëm, sesa Hannah Arendt. Për të, asgjë nuk e shpreh më mirë, karakterin veprimit politik, se sa dy folje të kësaj gjuhe që burojnë nga tradita homerike, sikur se; “archein” që e ka kuptimin e fillimit, drejtimit dhe sundimit dhe “prattein” të finalizimit dhe përfundimit.

Në këtë mënyrë të jesh në politikë do të thotë të kesh guxim, imagjinatë dhe vullnet për të filluar diçka të re. Të dallohesh me ndonjë insiativë. Dhe të kesh aftësinë t’i bindesh të tjerët të të ndjekin pas në misionin që e ndërmerr. Pa këto dy cilësi fundamentale mbetesh brenda së njëjtës skemë reptitive dhe shndërrohesh në material për qëllimet e të tjerëve.

Të ngjashme