Sindikata e Shëndetësisë paralajmëron hapa juridikë ndaj Qeverisë pse shtesa s’po merr edhe stafi mbështetës

Prishtinë | 24 Pri 2020 | 18:06 | Nga Ekonomia Online

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë është ankuar sërish se shtesat prej 300 eurosh për stafin shëndetësor, sipas pakos së Qeverisë për përballimin me koronavirusin, nuk po ndahen edhe për stafin mbështetës.

Në një reagim drejtuar kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe ministrave të Financave dhe Shëndetësisë, FSSHK ka thënë se “sistemi shëndetësor është zinxhir dhe çdo shkëputje e hallkës së këtij zinxhiri dërgon në dështim të sistemit shëndetësor”.

Me këtë rast, FSSHK ka paralajmëruar edhe hapa juridikë ndaj Qeverisë.

“I nderuari Z, Kryeministër në detyrë, po jua rikujtoj se në një institucion më të vogël shëndetësor i cili funksionon në këtë kohë Pandemie bëjnë pjesë: Punëtori i sigurimit, pastruesi/ja, bartësit, vozitësit, shërbimet teknike, IT-të dhe duke përfunduar tek infermierët dhe mjekët. Çdo diskriminim i këtyre punëtorëve do të konsiderohet shkelje e të drejtave të njeriut si dhe shkelje e të drejtave të punëtorëve, gjë për të cilën FSSHK do të ndërmerr të gjitha hapat juridike. Po ju themi hapa juridik ngase hapat sindikaliste në këtë moment nuk mund t’i ndërmarrim, sepse jemi në vijën e parë të frontit”, thuhet në letrën e Blerim Sylës, kryetar i FSSHK-së.

Të ngjashme