Disa shkolla në Pejë i detyrojnë nxënësit të paguajnë për sigurim e mirëmbajtje, reagojnë prindërit

My beautiful picture
Prishtinë | 14 Sht 2018 | 13:31 | Nga

Një grup i prindërve të nxënësve që vijojnë mësimin në shkollën fillore “Xhemajl Kada” në Pejë kanë reaguar ndaj detyrimit që po u bëhet nxënësve të kësaj shkolle për pagesën në vlerë prej 10 euro për sigurimin dhe mirëmbajtjen e shkollës.

Sipas tyre, që dy vjet kjo gjë po ndodh në disa shkolla të komunës së Pejës, jo vetëm në shkollën “Xhemajl Kada”, raporton Ekonomia Online.

“Këto ditë, shkolla fillore “Xhemajl Kada”, e cila ka 1800 nxënës, ka kërkuar nga nxënësit nga 10 euro për sigurim dhe kecele. Ne si prindër, të cilët i dërgojmë nxënësit në këtë shkollë, jemi tejet të indinjuar me drejtorin e shkollës dhe autoritetet komunale në Pejë”.

Në reagimin e tyre, prindërit kanë shprehur shqetësimin për keqpërdorim të parave të tyre, sepse, siç thuhet në reagim, kjo shkolla ka vetëm një rojë, ndërsa sipas llogaritjeve del se për një vit për 1800 nxënës mblidhet një shumë e madhe parash.

“Ne kemi dyshime se paratë tona janë duke u keqpërdorur në mase ekstreme, ngase në këtë shkolle ka vetëm një roje, ndërsa nga llogaritja del se në vit inkasohen afër 1800×5=9.000 mijë euro. Nga kjo del se mjetet e nxënësve janë duke u keqpërdorë”.

Ata i kanë bërë thirrje institucioneve lokale ta respektojnë ligjin sipas të cilit parashihet që siguria dhe mirëmbajtja e shkollave të jetë në kompetencë të komunave.

“Po ashtu ju bëjmë thirrje institucioneve lokale ta respektojnë ligjin ku është paraparë se siguria dhe mirëmbajtja e shkollave është në kompetencë të komunave. Kërkojmë po ashtu nga Prokuroria dhe Policia që me urgjencë të fillojë hetimet lidhur me këto çështje. As Këshilli i prindërve dhe askush nuk ka mandat të marrë vendime në kundërshtim me ligjin”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme