Për shkak të presionit nga drejtoresha e Kadastrës, gjeodeti lë punën në Komunën e Prishtinës

Prishtinë | 31 Gus 2018 | 16:27 | Nga

Enver Visoka, pas 30 vitesh punë në Komunën e Prishtinës, e ka braktisur angazhimin si gjeodet në Drejtorinë për Kadastër të kryeqytetit. Këtë thotë se e bëri për shkak të presionit që ushtroi ndaj tij drejtoresha Nora Kelmendi. Kjo e fundit mohon pretendimet e ish-punonjësit. Kryetari Shpend Ahmeti nuk flet për rastin.

Të pamundur për t’i kryer obligimet e tij si gjeodet në Komunën e Prishtinës, thotë ta ketë pasur Enver Visoka në kërkesën e tij për t’ia shkëputur kontratën e punës Komuna e kryeqytetit. Krejt kjo, sipas tij, “për shkak të presionit të vazhdueshëm nga ana e drejtoreshës së kadastrës Nora Kelmendi”.

Për këto gjëra, Visoka e ka njoftuar edhe kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes kërkesës për “shkëputje të marrëdhënies së punës” me Komunën e Prishtinës, që ai e dorëzoi më 2 gusht të këtij viti.

Disa javë pas këtij vendimi, Enver Visoka shpjegon për Gazetën Express se çka e shtyu ta lërë punën në Komunën e Prishtinës, pas 30 vitesh angazhim.

“Prej ardhjes së drejtoreshës [Nora Kelmendi], çdo herë kemi pasur presion. T’u ka përzi në punë profesionale tuat, që i ki kry që 30 vjet”, nis tregimin e tij gjeodeti prishtinas.

“Aty [në Drejtorinë për Kadastër], ajo [Nora Kelmendi] me asnjë punëtor nuk ka bashkëpunim. Qashtu sillet me krejt”, thotë ai.

Por, Visoka pohon se më nuk mundi ta durojë presionin e saj, i ndier nga ai edhe përmes dërgimit të tij dy herë në komisionin disiplinor.

Ndonëse, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës thotë se në njërin nga rastet një gjë e tillë ndodhi me kërkesën e tij, pasi nuk i bindej urdhrave joprofesionalë të drejtoreshës së Kadastrës në Prishtinë, Nora Kelmendi.

“Ajo m’ka qu në komisione disiplinore, e asnjëherë s’kanë marrë kurrfarë vendimi”, tregon Enver Visoka në bisedën për Gazetën Express.

Se ky ish-punonjës komunal ka pasur rast të hapur në komisionin disiplinor bën të ditur për Gazetën Express edhe zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, në kërkesën e gazetës për sqarime rreth rastit të Visokës.

Por, sipas zëdhënësit Tahiri, nuk kishte qenë drejtoresha Kelmendi që e kishte çuar në komision disiplinor ish-gjeodetin e Drejtorisë së Kadastrës në kryeqytet, por shefja e sektorit në të cilin ishte i angazhuar Enver Visoka.

“Z. Visoka ka bërë kërkesë për shkëputje të marrëdhënies së punës, kërkesë kjo që i është aprovuar nga ekzekutivi. Mirëpo, ai ka ende të hapur lëndë në komisionin disiplinor të Komunës, ku është dërguar paraprakisht nga udhëheqësja e tij e drejtpërdrejtë (shefja e sektorit, jo drejtoresha), për shkelje disiplinore”, thuhet në përgjigjen me e-email të Komunës së Prishtinës, për Gazetën Express.

Pretendimet e këtij ish-zyrtari komunal ndaj saj i ka mohuar vetë drejtoresha e Kadastrës Nora Kelmendi.

Në disa përgjigje shumë të shkurtra, në formë pyetësori, është përgjigjur ajo në pyetjet e Gazetës Express.

Me “Po” është përgjigjur Kelmendi në pyetjen se a është në dijeni për pretendimet ndaj saj dhe vendimin e Enver Visokës për largim nga puna. “Profesional” ka thënë të ketë qenë bashkëpunimi i saj aq kohë sa gjeodeti ishte i angazhuar si vartës i saj.

“Asnjëherë”, thotë për Gazetën Express, Nora Kelmendi të mos ketë ushtruar presion ndaj tij. Dhe “Nuk kam njohuri” ka dhënë ajo përgjigjen në pyetjen se pse, atëherë, Enver Visoka e ka akuzuar atë për presion në punë.

Por, për dallim nga drejtoresha Kelmendi dhe zëdhënësi Tahiri që janë përgjigjur për Gazetën Express, kryetari Shpend Ahmeti nuk ka marrë mundin ta bëjë një gjë të tillë.

Ndonëse, pyetjet i janë dërguar edhe direkt atij, pasi sipas ish-zyrtarit të komunës që Ahmeti drejton për të dytin mandat, e ka informuar edhe të parin e kryeqytetit për presionin e ushtruar ndaj tij nga drejtoresha e Kadastrës dhe vendimin për ta braktisur punën pas 30 vitesh angazhim në Komunën e Prishtinës.

Ahmeti, sipas Enver Visokës, njësoj ka vepruar edhe ndaj tij. Ai tregon se kishte informuar kryetarin, por nga ai s’ka marrë kurrë asnjë përgjigje.

“Asniherë as s’më ka thirrë, as kurgjo”, tregon Visoka.

Se i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, është i njoftuar për këtë rast, shihet edhe në kërkesën e 2 gushtit 2018, të Enver Visokës, për “shkëputje të marrëdhënies së punës” me Komunën e Prishtinës, e cila është e protokolluar.

Enver Visoka, ndonëse ka javë që ka braktisur vendin e tij të punës, thotë se vazhdon të mos i dijë arsyet që e shtynë ish-shefen e tij të ushtrojë aq presion ndaj tij.

Ai kujton edhe rastet kur i kishte dalë telashe me pushimet që i takojnë sipas ligjit, e që thotë se drejtoresha në fjalë, Nora Kelmendi, refuzonte t’ia jepte.

“Për pushime çdo herë kam pasë problem. Jo po ta dho jo s’po ta dho”, ka rrëfyer Enver Visoka për Gazetën Express.

Ndryshe, Nora Kelmendi, si drejtoreshë në Drejtorinë e Kadastrës në Komunën e Prishtinës, u emërua nga kryetari Shpend Ahmeti, pas marrjes së mandatit të dytë në krye të kryeqytetit, përmes zgjedhjeve lokale të vitit 2017.

Atëkohë Ahmeti fitoi mandatin si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje, nga e cila u dorëhoq pak muaj pas zgjedhjeve, bashkë me një grup të deputetëve të kësaj partie, për të kaluar në Partinë Socialdemokrate, e më pas për t’u bërë kryetar i kësaj partie

 

Të ngjashme