Themelohet Task Forca “Ta Pastrojmë Podujevën”

Prishtinë | 11 Sht 2018 | 11:11 | Nga

Komuna e Podujevës ka themeluar Task Forcën “Ta Pastrojmë Podujevën”, e cila do të koordinojë dhe organizojë aktivitetin e pastrimit në kuadër të iniciativës së Qeverisë së Kosovës për organizmin e aksionit “Ta Pastrojmë Kosovën”.

Takimin e parë të kësaj task force e udhëhoqi nënkryetari i kësaj komune Nexhmi Rudari, ndërsa në përbërje të saj janë përfaqësues të institucioneve relevante, drejtorë komunalë, përfaqësues të shoqërisë civile, media dhe përfaqësuesit e kompanive publike që veprojnë në Podujevë.

Rudari tha se Komuna e Podujevës në vazhdimësi ka organizuar aktivitete të suksesshme në fushën e mbrojtjes së ambientit.

Ai gjithashtu foli për rëndësinë e organizimit sa më të mirë dhe masovik të aksionit të 15 shtatorit, duke kërkuar angazhimin e të gjithë akterëve për një ditë të suksesshme.

Në lidhje me çështjen e organizmit të kompanive që janë të kontraktuara nga kjo, drejtori i Shërbimeve Publike, Faik Muçiqi tha se Komuna e Podujevës e ka një kompani që është e kontraktuar për eliminimin e deponive ilegale, por DSHPMSH do ta thërras një takim të veçantë për t’i mobilizuar të gjitha kompanitë publike që veprojnë në Podujevë për t’iu përgjigjur sa më mirë aksionit.

Të gjithë pjesëmarrësit në takim u zotuan për angazhim në favor të organizimit sa me të mirë të aksitonit të 15 shtatorit.

Të ngjashme