Arrestohet një zyrtar i komunës së Prishtinës, dyshohet për mitmarrje

Prishtinë | 27 Sht 2018 | 17:40 | Nga

Nën dyshimet për mitmarrje, Policia ka arrestuar një zyrtar të Komunës së Prishtinës.

Këtë lajm Kohavisionit ia ka konfirmuar edhe i pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, i cili ka konfirmuar se punonjësi është suspenduar menjëherë.

Ahmeti ka refuzuar të zbulojë identitetin e punonjësit, por ka thënë se ka qenë vetë komuna ajo që ka denoncuar zyrtarin e saj.

Ai ka thënë se denoncimi është bërë pas ankesave nga një kompani e kontraktuar, e cila i ka ofruar Prokurorisë edhe dëshmi lidhur me rastin.

Jozyrtarisht, televizioni merr vesh se bëhet fjalë për Refik Sadikun, punonjës në drejtorinë e Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave, i cili ka qenë i akuzuar edhe në një rast tjetër në të kaluarën – që lidhet me projektin e kolektorit në lagjen Kalabria.

Burimet i kanë thënë televizionit se dyshimet për mitmarrje nga Sadiku lidhen me projektin e shkallëve të Arbërisë.

Po ashtu jozyrtarisht, mësohet se dëshmia që ka çuar në arrestimin e zyrtarit Sadiku është një video-incizim, ku ai shihet duke e numëruar një shumë parash.

Të ngjashme