Ferizaj i kërkon Qeverisë qendrore kompensimin e dëmeve për fermerë

Prishtinë | 22 Sht 2018 | 11:27 | Nga

Derisa fermerë të Komunës së Ferizajt po vazhdojnë të ankohen për dëmet e shkaktuara nga vërshimet në vlerë prej 700 mijë eurosh, Komuna e Ferizajt në pamundësi për t’i mbështetur ka adresuar një kërkesë zyrtare në Ministrinë e Bujqësisë dhe në Qeverinë e Kosovës për kompensim.

Gjatë sezonit pranveror të këtij viti fermerët më të dëmtuar janë konstatuar të jenë nga fshatrat Pleshinë, Manastirc, Greme dhe Zaskok të Komunës së Ferizajt, shkruan sot Koha Ditore.

Sidoqoftë Komuna e Ferizajt as për vitin 2019 nuk ka planifikuar ndonjë buxhet të veçantë për kompensim të dëmeve të fermerëve.

Burim Bajrami, drejtor për Bujqësi në Komunën e Ferizajt, ka thënë se tashmë kanë adresuar një kërkesë në Ministrinë e Bujqësisë dhe në Qeverinë e Kosovës për t’i kompensuar 700 mijë euro dëmet e fermerëve. Sipas tij, komisioni për vlerësim të dëmeve ka bërë punën e tyre profesionale në terren, andaj kulturat më të dëmtuara janë konstatuar gruri, pastaj kulturat e mjedrës, dredhëzat etj.

Bajrami, po ashtu, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës zbatimin e vendimit të vet për kompensim të dëmeve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme