Mobilizohet Spitali i Gjakovës: Nuk pranon praktikantë, frikë nga përhapja e koronavirusit

Prishtinë | 24 Shk 2020 | 14:00 | Nga Ekonomia Online

Koronavirusi është shndërruar në shqetësim në shumë vende të botës, duke marrë parasysh se u ka marrë jetën më shumë se dy mijë personave deri tani.

Ndërkaq, QKUK dhe spitalet rajonale në Kosovë kanë filluar masa mbrojtëse nga ky, kurse në Gjakovë nuk do të pranojnë as studentët praktikantë, për shkak të frikes së përhapjes.

Siç ka marrë vesh Gazeta Metro, në spitalin rajonal të Gjakovës studentëve dhe personave që kryejnë praktikën për mjek e infermier, u është thënë të mos shkojnë për dy javë.

Burime të Metros kanë thënë se e gjithë kjo po bëhet për t’u mbrojtur nga koronavirusi, në mënyrë që ky të mos përhapet edhe vend.

“Nuk janë duke pranuar praktikantë në spital, edhe sa më pak pacientë. Krejt me sigurima, me mjek, krejt kanë vendosur maska”, ka thënë ky burim.

Sidoqoftë, deri tani në spitalet tjera rajonale nëpër vend po vazhdon praktika, dhe siç merr vesh Metro kjo ndalesë ka ndodhur vetëm në Gjakovë.

Ndërkaq, duke marrë parasysh se në Europë, saktësisht në Itali, deri tash kanë vdekur 5 persona, shteti ynë fqinj Shqipëria është mobilizuar me masa mbrojtëse.

Kurse, nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës dje kanë bërë të ditur se kanë përpiluar një planë gatishmërie dhe reagimi, në rast të shfaqjes së ndonjë rasti.

Në procesin e zbatimit të Planit të gatishmërisë dhe reagimit janë të përfshirë:

▪ Ministria e Shëndetësisë (MSh);

▪ Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK);

▪ Qendra Klinike Universitare – Klinika Infektive dhe Qendra Emergjente (QKUK/KI, QE);

▪ Spitalet rajonale

▪ Agjencioni për Menaxhimin e Emergjencave (AME);

▪ Agjensioni Kosovar për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM);

▪ Agjensioni i Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës (AUV);

▪ Forca e Sigurisë së Kosovës – Ministria e Mbrojtes (FSK, MM);

▪ Policia e Kosovës (PK);

▪ Inspektoriati Shëndetësor dhe ai Sanitar;

▪ Drejtoritë Komunale të Shëndetësisë;

▪ Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF);

▪ Qendrat sentinel për rastet me grip (ILI), ARI dhe SARI dhe Coronavirusin e ri COVID-19.

Gjithashtu, varësisht nga burimi dhe rruga e përhapjes së infeksionit, në proces përfshihen edhe institucione tjera:

▪ Shërbimet veterinere komunale;

▪ Institucionet dhe organizmat të identifikuar nga Qeveria;

▪ Partnerët tjerë relevantë.

Deri tash në Kosovë janë testuar tre persona pasi kishin simptomat e këtij virusi, mirëpo rezultatet dolën negative.

Ndërkaq, edhe sot një personi në Klinikën Infektive janë duke iu bërë analizat e nevojshme, pasi dyshohet të jetë infektuar.

Kujtojmë se koronavirusi raportohet që të ketë filluar të përhapet nga qyteti Wuhan në Kinë, ku edhe janë shënuar më së shumti viktima.

Fatkeqësisht, mjekët nuk kanë arritur të gjejnë ende ilaçin që shëron këtë virus, derisa bëhet e ditur se më të prekur janë personat e moshuar dhe ata me probleme kronike.

Të ngjashme