Asfaltohen 3 rrugë me 1.5 kilometra gjatësi në Pojatë

Prishtinë | 23 Gus 2019 | 12:59 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Ferizajt, gjatë kësaj vere, ka realizuar një sërë projektesh infrastrukturore. Një i tillë me rëndësi për banorët për qarkullimin dhe lidhjen mes lokaliteteve është edhe ky që u realizua sot, asfaltimi i tri rrugëve me gjatësi prej 1.5 kilometrash nga 15 rrugë që do të asfaltohen në fshatin Pojatë me një kosto prej 240 mijë eurosh.

Për të ndjekur punimet dhe vlerësuar cilësinë e standardet e aplikuara në këtë projekt, doli i pari i Ferizajt, Agim Aliu që shoqërohej nga drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës, Arbër Bytyqi.

Ky i fundit tha se projekte të tilla, kaq të gjera në shtrirje dhe rëndësinë që paraqesin ato për banorët e këtyre zonave rurale janë planifikime të qeverisjes lokale, të realizuara me përkushtimin më të lartë, për t’i lehtësuar qarkullimin dhe jetën qytetarëve.

“Jemi në fshatin Pojatë ku po bëjmë asfaltimin e disa nga rrugicave që kemi në kuadër të asfaltimit të rrugicave të fshatit Pojatë. Bëhet fjalë për asfaltimin e tri rrugicave që do të përfundojnë gjatë ditës së sotme dhe një pjesë nesër. Bëhet fjalë për një gjatësi rreth 1.5kilometra që do të përfundohet këto ditë, kurse pjesa tjetër e rrugicave, një pjesë do të vazhdoj gjatë këtij viti, kurse pjesa tjetër e mbetur do të përfundohet vitin e ardhshëm. Bëhet fjalë për një projekt prej 240mijë eurosh i cili do të ndikoj në përfundimin e problemeve që kanë të bëjnë me infrastrukturën në fshatin Pojatë” tha Arbër Bytyqi, drejtor i Infrastrukturës duke theksuar edhe disa nga investimet e projektet që kanë ndodhur dhe po ndodhin aktualisht në këtë zonë, grup fshatrash.

Në anën tjetër, Ibrahim Latifi, kryetar i fshatit Pojatë tha se këto investime janë të mirëseardhura dhe tejet të nevojshme për përmirësimin e jetës së banorëve, për çka edhe falënderoi Kryetarin e Komunës, Agim Aliu për investimet që ka sjellë në fshatin Pojatë.

Të ngjashme