184 biznese të shuara për një vit në Prizren

Prishtinë | 12 Shk 2019 | 13:12 | Nga Ekonomia Online

Qendra Komunale e Biznesit në Prizren gjatë vitit 2018 ka evidentuar 184 raste të shuarjes së biznesit, trend ky më i mirë krahasuar me shifrat e vitit 2017, kur ishin shuar afro 220 biznese në këtë komunë. Ndërsa numri i bizneseve të reja të regjistruara në QKB në vitin e shkuar ka qenë 741 sosh, që është më i lartë se në vitin 2017, kur në këtë qendër ishin regjistruar 665 biznese të reja.

Autoritetet komunale shtimin e numrit të bizneseve të reja e kanë arsyetuar me punën e bërë në përmirësimin e kushteve për zhvillimin e bizneseve. Por opozitarët kanë konsideruar se shuarja e afro 200 bizneseve nuk është tregues pozitiv për përmirësimin e kushteve të të bërit biznes. Sipas tyre, pushteti lokal nuk ka krijuar as lehtësira për komunitetin e biznesit, ani pse i kishte premtuar ato.

Drejtori i Financave në Komunën e Prizrenit, Ertan Simitçi, duke u bazuar në statistikat e QKB-së, ka thënë se “në vitin 2018 në Komunën e Prizrenit janë regjistruar 741 biznese dhe se janë shuar 184 sosh, derisa në 522 raste janë bërë ndryshime në biznes”. Sipas tij, në vitin 2017 ishin “regjistruar 665 biznese të reja dhe 219 sosh ishin shuar, derisa në 450 raste ishin bërë ndryshime në biznes”. Tutje ka shtuar se në vitin 2016 ishin “regjistruar 666 biznese të reja dhe ishin shuar 259 sosh, derisa në 470 raste ishin bërë ndryshime në biznes”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme