Hapet qendra e dytë për të moshuarit në kryeqytet, premtohen edhe dy të tjera

Prishtinë | 11 Pri 2019 | 12:26 | Nga Nexhmie Hyseni Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Është hapur qendra e dytë për të moshuar në lagjen “Aktash”, të Prishtinës, raporton Ekonomia Online.

Kjo qendër mundëson qëndrim ditor dhe aktivitete për të moshuarit, e që gjatë ditës mund të shërbehen edhe me çaj , kafe dhe ëmbëlsira falas.

Me këtë rast, kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se shumë shpejtë do të hapet edhe shtëpia e tretë në kryeqytet.

“Shumë shpejtë do ta hapim edhe të tretën. Nëse nuk i respektojmë të rinjtë dhe pleqtë nuk ka të kaluar dhe as të ardhme. Javën tjetër do inaugurojmë edhe kuzhinën e parë statike për njerëzit që kane nevojë për shujtë të ngrohtë nga ora 18:00 dhe kjo nuk do të jetë e vetmja”, u shpreh Ahmeti.

Drejtori për Mirëqenie Sociale, Dren Kukaj, tha se shumë shpejtë pritet që qendra e tretë të hapet afër katedrales. Ai tha se brenda këtij viti do të hapet edhe një qendër tjetër.

“Kjo është një mundësi e mirë për të moshuarit ku do ta kalojnë ditën me aktivitete të shahut. Ideja është që kjo hapësirë të shfrytëzohet, këtu kanë çaj, kafe dhe ëmbëlsira që u ipen falas. Kjo është qendra e dytë, të tretën do ta hapim muajin tjetër afër katedrales dhe të katërtën do ta hapim gjatë vitit sipas gjitha gjasave”, tha Kukaj.

E, hapjen e kësja qendre e kanë pritur shumë mirë të moshuarit.

Fexhrie Havolli, një pensioniste nga Prishtina, tha se kjo është një mundësi e mirë për moshatarët si ajo për të kaluar më shumë kohë së bashku.

“Shumë mirë për moshën tonë të bëhemi bashkë me shoqet tona, të rrimë dhe të kalojmë kohën”, tha ajo.

Bahtir Rama, pensionist, u shpreh falënderues ndaj komunës për hapjen e kësaj qendre duke shpresuar që të ketë edhe në të tjera lagje qendra të tilla.

“Kjo është qendra e dytë prej asaj te “Xhamia e Llapit”, atje jemi qe 3 vjet, po heqim mërzi, po luajmë me shah. Unë jam fort i gëzuar edhe për këtë qendër. Kisha me u lut me u bë edhe në “Breg të Diellit” dhe në “Dardani”, u shpreh ai, raporton EO.

Rama ka thënë se për të moshuarit është një periudhë e vështirë pasi nuk po i duan në shtëpi.

Ai kritikoi konduktorët e autobusëve urban që sipas tij po bëjnë shaka me të moshuarit.

“Çdo i moshuar po i pengon gjithkujt, thonë prej tij s’ka sen, e po thonë hajt dil hiqu prej shtëpisë. Autobusi i ka lëshuar pa pare, po konduktorët po bëjnë shaka me të moshuarit, jo erdh i sëmuri, jo po rrinë gjithë ditën në autobus. Unë kisha me e lut shtetin me i marr do sene ma seriozisht”, tha ai.

Të ngjashme