INPO: Kontrata për promovimin e kryetarit të Ferizajt në rrjete sociale, e kundërligjshme

Prishtinë | 30 Jan 2019 | 15:15 | Nga Ekonomia Online

Prishtinë, 30 Janar 2019- Organizata INPO reagon ashpër ndaj keq menaxhimit të parasë publike përmes instrumentit të prokurimit në komunën e Ferizajt dhe kërkon që të mbahen përgjegjës zyrtarët, të cilët kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës.

INPO ka gjetur se Kontrata “Administrimi i profilit të kryetarit të komunës në rrjetet sociale” me numër të prokurimit 656-18-2748-2-3-5, në vlerë prej 18 mijë euro, e lidhur sipas procedurës së negocimit pa publikimin e njoftimit për kontratë është e kundërligjshme, pasi që nuk janë respektuar parimet elementare ligjore për inicimin e procedurës për lidhje të kontratës dhe po ashtu kontrata nuk promovon asnjë lloj objektive institucionale të komunës së Ferizajt, por promovon vetëm imazhin e Kryetarit të Komunës në rrjete sociale përmes shpenzimit të parasë publike dhe favorizon operatorin ekonomik, pronar i së cilës është familjari i Drejtorit të Urbanizimit të Komunës së Ferizajt.

INPO ka analizuar kontratën dhe dokumentet relevante dhe ka gjetur se Komuna e Ferizajt, nuk e ka plotësuar asnjë kusht ligjor për përdorimin e procedurës së negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë, por e ka keqpërdorur atë. Kjo procedurë konsiderohet si procedurë jo-transparente dhe e cila e minimizon konkurencën e lirë që rrezikon edhe humbjen e vlerës për paranë, mirëpo që ligjvënësi në Republikën e Kosovës, ju ka mundësuar Autoriteteve Kontraktuese përdorimin e kësaj proedure në rrethana të caktuara. Sipas Ligjit Nr.04-L/042 për Prokurimin Publik në Kosovë, nenit 35, procedura e negociuar mund të përdoret për çdo kontratë publike kur: (i) për arsye teknike ose artistike, kontrata duhet t’i jepet një operatori ekonomik, (ii) për arsye të mbrojtjes së pronës intelektuale apo industriale apo të drejtave ekskluzive, dhe (iii)në rastet e urgjencës ekstreme.

Sipas analizës së dokumenteve, inicimi i aktivitetit të prokurimit me procedurë të negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë, nuk ka qenë i natyrës së urgjencës ekstreme dhe shërbimet të cilat janë kontraktuar nuk klasifikohen si shërbime sipas të drejtave ekskluzive, pasi që shërbimet e fotografimit, video-incizimeve, menaxhimi i profileve online dhe shërbimeve tjera të kësaj natyre, mund të gjenden me bollëk në tregun e Republikës së Kosovës.

Tutje, Komuna e Ferizajt, zhvillimin e këtij aktiviteti të prokurimit nuk e ka pasur të planifikuar në Planifikimin Përfundimtar të Prokurimit dhe as në Buxhetin e Komunës për vitin 2018. Ndërkaq, sipas Raportin Vjetor për Kontratat e Nënshkruara Publike për vitin 2018, e gjitha proceduara nga faza e inicimit të aktivitetit të prokurimit, negocimit e deri të lidhja e kontratës komunës ka kaluar për vetëm shtatë (7) ditë. Tutje, në këtë raport komuna ka bërë deklarim të rremë, pasi ka deklaruar se kjo kontratë është lidhur sipas procedurës së hapur dhe ka shënuar edhe datat e publikimit të njoftimit për kontratë dhe njoftimit për dhënie të kontratës, ndërkaq në platformën e-prokurimi, nuk mund të gjendet asnjë lloj njoftimi e publikuar rreth kësaj kontrate. Argument tjetër që e forcon dyshimin e bazuar se komuna ka manipuluar këtë tender është fakti se sipas raportit, publikimi i njoftimit për kontratë është bërë më 22 prill 2018, që sipas kalendarit kjo datë ka qenë ditë e diel.

Po ashtu, komuna ka bërë një sërë shkeljeh serioze të Ligjit për Prokurimin Publik, si në vijim:

  1. Në deklaratën e nevojave dhe disponueshmërisë së fondeve mungon numri i prokurimit për të cilin është zhvilluar procedura, mungon konstatimi i saktë se si ky prokurim do të përmbush objektivat institucionale të komunës, dhe mungon numri i Urdhëresës së Zotimit dhe Pagesës. Po ashtu, kjo deklaratë nuk është e nënshkruar nga Zyrtari Përgjegjës i Prokurimit, Kryetari i Komunës dhe nga Zyrtari Kryesor Financiar.
  2. Komuna nuk ka hartuar fare dosjen e tenderit duke vepruar kështu në kundërshtim me nenin 27 të Ligjit për Prokurim Publik, i cili e obligon komunën që të përpiloj një dosje të tenderit që ofron informatat përkatëse lidhur me kontratën në fjalë, duke përfshirë të gjitha termet dhe kushtet materiale të saj, procedurat e zbatueshme të prokurimit, çfarëdo kërkese të aplikueshme të përshtatshmërisë apo kriteret e përzgjedhjes, procedurat e ankesës si dhe informatat e tjera përkatëse siç kërkohen nga ky ligj.
  3. INPO ka gjetur diskrepancë në mes të përmbajtjes së Procesverbalit të hapjes së tenderit dhe vendimit për formimin e komisionin për negocim. Në procesverbalin e hapjes së tenderit të datës 26.04.2018, thuhet se mbyllja e afatit për dorëzimin e ofertave është 26.04.2018. Ndërkaq, sipas vendimit Nr.-01-51/2018 për formimin e komisionit për negocim, i datës 26.04.2018, komisioni fillon punën në ora 10:00. Pra, hapja e ofertave do të bëhej, 4 orë pas fillimit të punës së negocimit dhe vlerësimit të ofertës. Po ashtu, shkelje tjetër gjatë kësaj faze është se procesverbali i hapjes së tenderëve nuk është nënshkruar nga përfaqësuesi i operatorit ekonomik dhe po ashtu nuk është nënshkruar nga anëtarët e komisionit për hapje të tenderit.
  4. Raporti i vlerësimit të tenderëve nuk ofron asnjë lloj të dhëne rreth mënyrës së vlerësimit të përshtatshmërisë dhe kapacitetit të ofertuesit për të ofruar shërbimet. Sipas këtij raporti çmimi total i ofertës është 750 euro. Poashtu, në njoftimin Nr.01-51/2018 të komisonit negociues drejtuar Zyrtarit të Prokurimit, thuhet se pas negociatave është arritur marrëveshja që vlera e këtij shërbimi të jetë 750 euro, nga 810 të ofruar nga ana e kompanisë. Sipas këtij dokumenti çmimi total i kontratës është dashur të jetë 750 euro. Mirëpo sipas kontratës, 750 euro do të jetë shuma mujore që do të paguhet përgjatë 24 mujave nga data e lidhjes së kontratës, e që në total vlera e kontratës është 18 mijë euro.
  5. Përdorimi i procedurës së negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë, sipas nenit 35 të Ligjit për Prokurimin Publik, obligon komunën që të luajë një rol aktiv në vendosjen e kushteve të kontratës, posaçërisht lidhur me çmimet, afatet e dërgesave, sasitë, karakteristikave teknike dhe garancionet; (ii) Sigurojë se çmimi i kontraktuar nuk është më i lartë se çmimi përkatës i tregut; dhe (iii) Vlerësojë me kujdes cilësinë e produktit në fjalë, të shërbimeve, apo punimeve.” Komuna e Ferizajt përveç që nuk ka ndërrmarrë asnjë lloj veprimi për të siguruar cilësinë e shërbimeve, ajo nuk ka arritur as të ndikoj në negocimin e çmimit të kontratës, pasi vlera e parashikuar për këtë kontratë ishte 18 mijë euro, po aq sa është nënshkruar kontrata. Rrjedhimisht, sikur të zbatoheshin procedurat adekuate për këtë kontratë, siç është procedura e hapur e prokurimit, komuna do të mund të ruante vlerën për paranë dhe do të mund të përzgjidhte ofertën më të mirë.

Në anën tjetër, përveç shkeljeve ligjore gjatë zhvillimit të procedurës INPO ka gjetur operatori ekonomik “Shëndet Aliu B.I” është themeluar vetëm dy (2) muaj para se të shërblehej me kontratë. Pronar i kësaj kompanie është Shëndet Aliu, i cili ka lidhje familjare me Lulzim Aliun, drejtorin e urbanizimit në Komunë e Ferizajt.

INPO i rikujton Kryetarit të Komunës se është nën përgjegjësinë e tij kryesore garantimi i sundimit të ligjit dhe menaxhimit efikas dhe efektiv në shpenzimin e parasë publike, gjithnjë duke pasur për interes nevojat reale të qytetarëve të Ferizajt. Andaj, INPO kërkon nga kryetari i komunës që të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për të evituar të gjitha këto shkelje të evidentuara dhe rekomandon që për administrimin e profilit personal në rrjete sociale të paguajë nga xhepi i tij.

Gjithashtu, INPO i bën thirrje të gjitha autoriteteve relevante, të cilat kanë për mandat mbikëqyrjen e shpenzimit e parasë publike, të reagojnë në kërkim të llogarisë për shkeljet e paraqitura dhe të angazhohen që autorët e këtyre shkeljeve të mbahen përgjegjës para ligjit.

Projekti “Kërko Drejtësi: Fuqizimi i qasjes në drejtësi në Kosovë” (origjinali: Urge for Justice: Empowering a bottom-up access to justice in Kosovo) mbështetet nga Departamenti i Shtetit Amerikan përmes Byrosë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL)(origjinali: Bureau of International Narcotics and Law Enforcement Affairs – INL) dhe zbatohet nga Instituti i Kosovës për Drejtësi – IKD në partneritet me Iniciativa për Progres – INPO.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme