Komuna e Drenasit thotë se nuk ka blerë pelet nga Serbia

Drenas | 16 Dhj 2018 | 22:28 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Drenasit ka reaguar pas disa raportimeve në medie se kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, ka blerë pelet për ngrohje nga Serbia.

Komuna e Drenasit, nëpërmes një komubikate shtypi, thotë se ajo nuk blen pelet për ngrohje për asnjë institucion, por kontrakton Operator Ekonomik për furnizim sipas kërkesave. “Ndaj publikimet ne portale janë të pa baza dhe të njëanshme, sepse para se të publikojnë një lajm të tillë, duhet kontaktuar edhe Zyrën për Informim në Komunën e Drenasit për të vërtetuar një gjë të tillë”.

“Zyra e Prokurimit në Drenas nuk ka nënshkruar kontratë me Operatorin Ekonomik për të furnizuar me pelet Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Drenas, por Operatori Ekonomik pasi që ka pranuar njoftimin për vendimin e autoritetit kontraktues, pa e bërë nënshkrimin e kontratës ka sjellë peletin të cilin Komisioni i Pranimit nuk e ka pranuar atë dhe i ka kërkuar OE të sjellë peletin sipas specifikimeve të dhëna në njoftimin për kontratë dhe dosjen e tenderit”.

“Operatori Ekonomik për furnizim me pelet për QKMF-në, pa e nënshkruar kontratën në Zyrën e Prokurimit Komunal, ditën e enjte ka dërguar në oborrin e QKMF-së një sasi të peletit duke ju thënë punëtorëve se jam OE fitues për furnizim dhe këtë sasi po e zbrazi para kohe e sasinë tjetër e sjell nesër”, thuhet në reagim.

“Komisioni verifikues ka konstatuar se peleti nuk është i kualitetit të kërkuar dhe ka kthyer kamionin e dytë duke i rekomanduar OE-së që ta marr edhe këtë sasi me vete. OE ka tentuar të manipuloj me pelet dhe peleti nuk është pranuar e as nuk është paguar”.

Për këtë çështje, Komuna e Drenasit thotë se do të kërkohet hetim i plotë, sepse QKMF nuk ka pasur urgjencë për pelet deri në përfundimin e procedurave të prokurimit, sepse ka huazuar nga Komuna sasinë prej 5 tonësh.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka theksuar se mbetet i përkushtuar te zbatojë të gjitha masat për taksën 100% të vendosur nga Qeveria ndaj mallrave nga Serbia.

“Zyra e Prokurimit është e pavarur në vendimet e saj dhe se kryetari nuk ndërhynë në procedurat e prokurimit, por i monitoron përmes Zyrës së Auditorit të Brendshëm”.

Në njoftimin nga Komuna dërguar medieve është bashkëngjitur edhe procesverbali i Komisionit të Pranimit nga QKMF-ja.

Të ngjashme