Në Gjilan, shtatëmbëdhjetë projekte dështojnë të realizohen më 2018

Prishtinë | 30 Dhj 2018 | 13:09 | Nga Ekonomia Online

Gjatë këtij viti nuk janë zbatuar 17 projekte në Komunën e Gjilanit. Këtë e ka konfirmuar nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, në mbledhjen e Bordit të drejtorëve që është mbajtur të premten.

Ai ka deklaruar se Qeveria e Kosovës nuk kishte zbatuar një sërë projektesh, ngase nuk ishin realizuar pagesat ndaj operatorëve të kontraktuar, ndërsa projektet lidhen kryesisht me infrastrukturën rrugore.

“Janë 17 projekte në kuadër të planit dinamik që kanë mbetur pa u realizuar. Shumica e tyre 70 për qind të projekteve lidhen me Qeverinë e Kosovës për shkak të buxheteve të cilat i kanë limituar jashtëzakonisht kohëve të fundit. Disa projekte të mëdha që na kanë mbetur është infrastruktura rrugore, shumica e rrugëve nëpër qytet që kanë mbetur pa u përfunduar këtë vit nuk janë për faj të Komunës, por për shkak të Qeverisë ngase nuk janë realizuar pagesat ndaj operatorëve ekonomikë. Është problemi i Qendrës së Mjekësisë Familjare është një aneks kontratë dhe ne kemi kryer të gjitha pagesat tona dhe nuk po nënshkruhet anekskontrata nuk e di pse” ka thënë ai.

Kurse drejtori i Shërbimeve Publike, Naser Korça, ka deklaruar se brenda këtij viti ata kanë inkasuar 392 mijë euro duke realizuar edhe planin e të hyrave. Ai ka përmendur projektet të cilat janë realizuar brenda këtij viti dhe projektet të cilat janë në proces të realizimit.

“Kanalizimi në fshatin Llashticë ka filluar dhe ka përfunduar, kanalizimi Lladovë-Zheger faza e tretë është kryer. Zgjerimi i rrugës për në Perlepnice është në proces. Rruga në lagjen ‘Fehmi Agani’ është kontraktuar por në mungesë të mjeteve operatori momentalisht ka ndërprerë punimet. Rrugët në lagjen e dytë kanë filluar, mirëpo për shkak të mospagesës janë ndërprerë punimet. Rruga në lagjen e 8 është kryer sipas projektit dhe në Lagjen e Zabelit kanë përfunduar dhe rruga në Lagjen e Malishevës është përfunduar. Rregullimi i ujësjellësit në Poredin ka filluar dhe do të vazhdohet në vitin 2019, ku edhe do të rregullohet kanalizimi dhe asfaltimi i rrugëve. Zgjerimi i rrugës në drejtim të Cernicës është në proces dhe ndërtimi i rrugës Livoq i Ulët-Cernicë është në proces”, ka thënë ai.

Sipas tij, janë asfaltuar edhe rrugët në fshatin Zhegër dhe se kanë vazhduar edhe me investime të tjera këtë vit.

“Ndërtimi i rrugëve në Arbëri janë kryer në masën 90 përqind. Ndërtimi i rrugës së Kumanovës është në fazën e parë, kurse faza e dytë dhe e tretë është buxhetuar nga Ministria dhe shpresojmë se në vitin 2019 do të fillojë. Kanë përfunduar rrugët në Celik, Selishtë, Pidiq, Bresalc, Llashticë dhe Velekincë na kanë mbetur edhe dy rrugë pa u përfunduar projekti. Rrethrrotullimi në rrugën e Prishtinës është kryer me sukses dhe do të vazhdojë edhe me ndërtimin e mbikalimit”, ka thënë ai.

Kurse drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Selami Xhemajli, ka deklaruar se është financuar pagesa për qiranë mujore për familjet me gjendje të rëndë sociale të cilat kanë probleme me strehim. Gjithashtu kishin zhvilluar edhe aktivitete për rinovimin e shtëpive për familjet me gjendje të rëndë sociale.

“Kemi monitoruar edhe kontratat e shfrytëzuesve të banesave sociale. Ndërtimi i SOS fshatit është projekt i cili realizohet në bazë të marrëveshjes së mirëkuptimit në mes Komunës së Gjilanit dhe Qeverisë së Kuvajtit të cilin e përfaqëson organizata “Qëndresa kosovare”. Komuna i ka kryer të gjitha obligimet që nga ndarja e parcelës së tokës në sipërfaqe 3.5 hektarë tokë dhe deri tek pajisja me leje ndërtimore. Ky projekt ka filluar në korrik dhe përfundimi është brenda 24 muajve. Subvencionet në shëndetësi është skemë e cila realizohet në baza mujore me qëllim të subvencionimit të barnave për qytetarët të cilët ballafaqohen me sëmundje të rënda”, ka thënë ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme