Prokuroria Themelore në Gjilan paraqet dy kërkesa për paraburgim për substanca narkotike

Gjilan | 26 Jan 2019 | 08:55 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të dyshuarve F.TH. (1974), XH.H. (1961), dhe L.M. (1962), për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale ‘’Posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’’ nga neni 273 paragrafi 2, 3 dhe 5 lidhur me nenin 31 dhe 35 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ekziston dyshimi i bazuar se, të dyshuarit F.TH., XH.H. dhe L.M., më 24 janar 2019, në rrugën Prishtinë – Gjilan, pa autorizim kanë blerë dhe poseduar substanca narkotike, me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, në atë mënyrë që pasi nga policia është ndalur automjeti, të cilin e drejtonte i dyshuari F.TH., në të cilin automjet kishte qenë edhe i dyshuari XH.H., në bagazhin e të njëjtit është gjetur 52.37 kg, substancë narkotike e llojit ‘’Marihuanë’’.

Ndërsa, tek parkingu i qendrës tregtare ETC, në Gjilan, nga policia është arrestuar edhe i dyshuari L.M., i cili kishte për të pranuar substancën narkotike, e cila edhe është konfiskuar nga policia. Po ashtu, janë konfiskuar edhe dy vetura, 4 telefona celular dhe 2,000 euro.

Gjithashtu, Departamenti për të Mitur, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së  paraburgimit, ndaj të miturit A.I. (2001), për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘’Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’’ nga neni 273 paragrafi 1 dhe 5 të KPRK-së.

Të ngjashme